'Bler pushon me Ramën', pas kritikave të ashpra në Londër
Gazeta e njohur britanike “Daily Mail” ka shkruar një artikull për foton e realizuar nga Rama dhe Bler në plazhin e Dhërmiut. Gazeta në fjalë shkruan se Bler bën pushime të qeta, vetëm një muaj pasi u vu në qendër të akuzave për gabimet e tij si ish-kryeministër në Britani, e sidomos për pushtimin e Irakut.
“Mirëpo, pas atij sikleti dhe akuzash të rënda në adresë të tij, Bler duket tanimë krejtësisht ndryshe. I veshur me këmishë të hapur, syze dielli firmato dhe me një kryq në qafë, ai po shijon rrezet e diellit në plazhet e Evropës Jugore, ku ka zgjedhur të pushojë. Nga foto, duket sikur trauma e hetimeve të Çilkot, të ketë qenë shumë kohë më parë”, shkruan më tej “Daily Mail”.
Më tej, në artikull thuhet se udhëtimi i ish-kryeministrit britanik drejt Shqipërisë, doli në dritë, kur Edi Rama postoi një foto bashkë me të. Gazeta thekson se nga fotoja kuptohet se Bler po pushon në jug të Shqipërisë, më saktë në fshatin Dhërmi.
Në fund, thuhet se Bler ka kohë që është lidhur ngushtësisht me Shqipërinë. Kjo, sepse tre vjet më parë, Bler u emërua këshilltar personal i kryeministrit shqiptar. Edhe gruaja e Bler, Çeri ka shërbyer si avokate në qeverinë shqiptare. “Daily Mail” ka pyetur një këshilltare të kryeministrit Rama, e cila është shprehur se Bler ka ardhur në vendin tonë për disa pushime të shkurtra dhe se nuk paguhet nga ana e qeverisë së Tiranës. Edhe zyra e Bler ka thënë të njëjtën gjë.