Zbardhen të rejat e projektligjit të “Vetting”-ut

komisioni i reformes ne drejtesi 620x413

EURALIUS-i i ka nisur në orët e vona të ditës së martë Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi projektligjin e “Vetting-ut të ripunuar, pas ndryshimeve kushtetuese. Projektligji u është vënë në dispozicion deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, me qëllim shqyrtimin dhe më pas miratimin e tij në seancën e radhës parlamentare që duhet të mbahet brenda korrikut. Demokratët thanë se do ta shqyrtojnë në detaje projektligjin e EURALIUS-it dhe pas kësaj ata do të mbajnë një qëndrim. Projektligji nuk është shqyrtuar ende, ndërsa mbledhja e Komisionit të reformës dështoi pasi përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë me argumentin se duhet ta shqyrtojnë nen për nen këtë projektligj.

Po ku konsistojnë risitë e këtij projektligji, të risjellë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend më 22 korrik? Një ndër ndryshimet që janë pasqyruar në projektligj ka të bëjë me përgjimin e telefonatave të anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit, roli që ka një organ nën varësinë e Ministrisë së Brendshme në procesin e “Vetting”-ut dhe aksesi i qytetarëve për të denoncuar shkeljet e anëtarëve apo subjekteve të rivlerësimit. Projektligjit i bashkëngjiten 4 formularë dhe deklarata personale që duhet t’i plotësojë secili prej njerëzve që do të vendosin të kontrollohen për të qenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.

Telefonat e zyrtarëve të rivlerësimit nën përgjim 

Në projektligj thuhet se anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit do t’u përgjohen dhe monitorohen telefonat dhe kjo do të bëhet nga Njësia e Posaçme Hetimore e krijuar me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Kjo do të realizohet me anë të një formulari që nuk është i detyrueshëm për të gjithë njerëzit që do të duan të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Kjo është një deklaratë që do ta plotësojnë kandidatët për 21 vendet e organeve që do të bëjnë “Vettingu”-n e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Deklarata praktikisht dorëzon privatësinë e nënshkruesit tek Byroja Kombëtare e Hetimit. Në rast se ai zgjidhet, gjatë ushtrimit të detyrës do të pranojë të pajiset me një celular të veçante, një adresë elektronike të veçantë, të cilat do të jenë nën kontroll në çdo moment.

Zyrtarët e rivlerësimit nuk duhet të kenë qenë agjentë gjatë komunizmit 

Projektligji parashikon edhe mënyrën dhe kriteret se si do të zgjidhen anëtarët e Komisionit dhe të Kolegjit të Apelit. Përveç kritereve si arsimi lartë në disa nivele, eksperienca jo më pak se 15 vite dhe shtetësia shqiptare, një ndër kriteret e zgjedhjes në nenin 6 është që kandidatët të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990 sipas ligjit “Mbi të drejtën e informimit me dokumentet e ish-shërbimit të sigurimit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Kjo pikë është diskutuar gjatë në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe është pranuar nga të gjitha palët.

Deklarimi i pasurisë nga anëtarët e institucioneve të rivlerësimit 

Anëtarët e institucioneve të rivlerësimit me fillimin e detyrës janë të detyruar që të deklarojnë të ardhurat vjetore me anë të një formulari që u kërkohet të plotësojnë. Në Në nenin 22 të projektligjit specifikohet se mosplotësimi me saktësi dhe vertëtësi i deklaratës së të ardhurave vjetore përbën shkak për shkarkim nga detyra e anëtarëve. Përveç deklarimit vjetor, aëntarët e institucionit të rivlerësimit, sekretari i përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë duhet të deklarojnë pasurinë edhe në përfundim të mandadit me qëllim për të vërtetuar nëse ka pasur apo jo abuzime gjatë ushtrimit të detyrës. Kjo do të kryhet me anë të një formuari për deklarimin e pasurisë, që autorizon institucionet vendasve dhe vëzhguesit të verifikojnë çdo të dhënë pasurie të vetë personit dhe të familjarëve të tij, që përcaktohen me ligj. Në rast se rezultojnë të dhëna të rreme, gjyqtari apo prokurori përkatës ndiqet penalisht.

Paga ekstra për zyrtarët e rivlerësimit

Paga dhe shpërblimi për detyrën janë një tjetër pikë që parashikohet në projektligj, ndonëse aty nuk specifikohen shumat se sa do të jenë. Konkretisht në nenin 25 thuhet se anëtarët e institucioneve të rivlerësimit përfitojnë një pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësisë së detyrës. Por më të privilegjuar duken këshilltari ligjor dhe ekonomik, të cilët do të përfitojnë përkatësisht 80% të pagës mujore përkatëse të anëtarit të institucionit të rivlerësimit. Ata mund të përfitojnë një pagesë shtesë për shkak të vështirësisë, sipas rastit. Përveç privilegjit financiar, pas përfundimit të mandatit të institucioneve të rivlerësimit, këshilltari ligjor dhe ekonomik, me pëlqimin e tij, ka të drejtë të emërohet në funksionin ose detyrën publike që kishte para zgjedhjes së tij ose në një vend të përafërt në administratën publike. Kjo gjë nuk do t’i lejohet anëtarit të insitucionit të rivlerësimit pas përfundimit të mandatit.

Ministria e Brendshme rol në procesin e “Vetting”-ut

Kontrolli i figurës së zyrtarëve që do të jenë pjesë e institucioneve të drejtësisë fut në lojë sërish Ministrinë e Brendshme dhe kryeministrin. Në projektligjin e EURALIUS-it OPN-ja mbetet një organ i jashtëm dhe që ka vetëm të drejta monitoruese dhe jo vendimarrëse, ashtu siç palët ranë dakord. Pak më muaj më parë kjo çështje ishte “molla sherrit” mes opozitës dhe maxhorancës.

Bëhet fjalë për nenin 32 të këtij projektligji thuhet se Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me institucionet e rivlerësimit janë autoriteti përgjegjës për kontrollin e figurës së kandidatëve për institucionet e drejtësisë. Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar ka të drejtë të caktojë një personel shtesë, për të kryer kontrollin e figurës për qëllim të këtij ligji. Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi Informativ Shtetëror ( SHISH) dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, krijojnë një grup pune për zbatimin e këtij ligji.

Këto struktura mund të caktojnë personel për të mbështetur grupin e punës për një periudhë kohe jo më pak se 1 vit. Ndër të tjera, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, ka të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar ose për personat e dyshuar të krimit të organizuar për qëllim të këtij ligji. Ky nen ka qenë një ndër shkaqet që opozita braktisi edhe punimet në Komisionin e Posaçëm të Reformës, pasi ajo kishte kërkuar që nga ky proces të përjashtohej SHÇBAja që ndodhet nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Edhe qytetarët në “Vetting”

Për ta bërë procesin më të transparent në rivlersimin dhe figurës kanë të drejtë të marrin pjesë edhe qytetarët, por edhe personat që kanë kryer vepra penale të korrupsionit me kandidatin ose anëtarin që do t’i rivlerësohet figura. Në nenin 49 të drafitit që do të duhet të votohet në Kuvend thuhet se çdo person që është në dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit ka të drejtë të informojë drejtpërdrejtë institucionet e rivlerësimit. Institucioni i rivlerësimit është i detyruar të kontrollojë nëse informacioni është dhënë nga një person i njohur ose anonim. Më tej thuhet se nëse qytetari heq dorë nga raportimi, hetimi nuk do pushohet, nëse Komisioni ose Kolegji i Apelimit çmon se veprimi ose praktika e dyshuar, përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për fillimin e hetimit kryesisht.

Qytetarët ose personat që denoncojnë merren në mbrojtje menjëherë për shkak të rrezikut ndaj tyre. Edhe personat që kanë marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e rivlerësimit kanë të drejtë të denoncojnë. Kjo garantohet në nenin 50 të projektligjit, ku thuhet se personi ka të drejtë t’i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal. Prokurori mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë personit që shpreh vullnetin për të dhënë informacion për abuzimet ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.