Reforma ne drejtesi, sot ne Kuvend raporti i Keshillit te Rregullores
Seanca e sotme parlamentare ka në rend dite raportin e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve lidhur me interpretimin e nenit 77 të rregullores së Kuvendit, i cili përcakton procedurën që duhet të ndiqet për shqyrtimin e draftit të ndryshimeve kushtetuese.
Një javë më parë, Këshilli nuk gjeti konsensus për këtë çështje, pasi opozita kundërshtoi kërkesën e maxhorancës që drafti t’i kalojë menjëherë seancës plenare, pa u shqyrtuar më parë sipas procedurës rutinë, në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve. Raporti i përcjellë seancës së sotme për vendim, përfshin dy mendimet e kundërta të palëve.
Rendi i ditës i Kuvendit parashikon gjithashtu diskutimin e dy marrëveshjeve me Gjermaninë, ajo për bashkëpunimin financiar 2014, për masën shoqëruese të projektit “Linja unazore 110 KV në Shqipërinë Jugore dhe marrëveshja për bashkëpunim financiar 2015, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të eficiencës energjetike”.
Para nisjes së seancës do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve që do të vendosë për kalendarin e punës së Kuvendit gjatë muajit korrik, që shënon dhe mbylljen e sesionit parlamentar të verës. Pika më e rëndësishme e këtij kalendari mbetet drafti i reformës në drejtësi, parashikuar për miratim në Parlament më 21 korrik.