Prokuroria fal Berishën: Thirrja për armatosje nuk është vepër penale
Janë dy nene të cilët, në rastin e një padie që një grup deputetësh të PS-së bënë kundër ish-kryeministrit, rregullojnë dhe e “fundosin” të paditurin, por jo në rastin konkret. Padia iu referua një fjale të mbajtur në sallën e Kuvendit nga ana deputetit të opozitës, Sali Berisha, i cili i bënte thirrje popullit shqiptar të armatosej që të shpëtonte nga bandat e krimit që, sipas tij, ishin të lidhura me policinë dhe me qeverinë.
Thirrja për grupin e deputetëve të mazhorancës ishte jo vetëm e rrezikshme, por madje ishte edhe një vepër penale. Mirëpo kishin harruar se jo vetëm Berishën por të gjithë deputetët e Kuvendit i mbron një nen i Kushtetutës, nen që i lejon ata të thonë ç`të donë, që për të cilën nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie.
Kështu është neni 73/6 i Kushtetutës së Shqipërisë në të cilin është përcaktuar fakti: “Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes”. Por në fakt, në Kodin Penal, është neni 222 i konkretizuar për “thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës” ku saktësohet se: “Thirrjet për armatosje kundër rendit kushtetues, krijimi apo organizimi i forcave të armatosura në kundërshtim me ligjin, marrja pa të drejtë e komandës së forcave të armatosura për të kryer veprime luftarake, me qëllim për t'iu kundërvënë rendit kushtetues, dënohen me burgim nga 5 deri në 10 vite”.
Mirëpo Prokuroria ditën e djeshme ka lajmëruar publikisht se ka vendosur mosfillimin e procedimit penal ndaj deputetit Sali Berisha! Vendimi i Prokurorisë “Më datë 29.04.2016, disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, kallëzim penal ndaj deputetit Sali Berisha, për kryerjen e elementëve të veprave penale të: “Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës”, parashikuar nga neni 222 i Kodit Penal; “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Nga përmbajtja e kallëzimit penal, të paraqitur nga grupi prej 11 deputetësh, rezulton ndër të tjera të jetë pretenduar se, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 21.04.2016, deputeti Sali Berisha, ka konsumuar tri veprat penale të sipërcituara, kur ka deklaruar se: “Unë kam një kërkesë për shqiptarët sot: ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, për sigurinë e tyre, të armatosen, të sigurojnë armë. Ju bëj thirrje, Ju bëj thirrje. Po, po, të armatosen, se armatosen amerikanët. Të armatosen të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë veten e tyre.
Nëse ju o organizatë kriminale, mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët me bandat tuaja, ju garantoj se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm t'jua kthejnë ju me të njëjtat mjete. Dhe tani, sapo përmenda fjalën ‘armë’, ju ngritë nga frika, ju ka hyrë frika deri në palcë”. Prokuroria e Përgjithshme kreu verifikimet mbi pretendimet e kallëzuesve dhe vendosi mosfillimin e procedimit penal ndaj deputetit të kallëzuar, duke argumentuar në mënyrë të përmbledhur, si më poshtë: Deklaratat e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, nga foltorja e sallës plenare, janë bërë në funksion të veprimtarisë parlamentare dhe në përmbushje të fjalës së lirë të opozitës parlamentare.
Deklarimet e bëra prej të kallëzuarit, në cilësinë e deputetit, ndonëse të kryera në ambientet e Kuvendit, gjatë një veprimtarie parlamentare dhe të lidhura me çështjet në debat parlamentar, nuk përmbushin elementët e ndonjë vepre penale. Prokuroria arrin në përfundimin se, fjalimi i të kallëzuarit, deputetit Sali Berisha në seancën plenare të datës 21.04.2016, është bërë në funksion të veprimtarisë dhe lirisë parlamentare.
Fjala e mbajtur prej tij konsiderohet se janë pjesë e lirisë parlamentare të fjalës, mendimit dhe qëndrimeve, në ushtrim të mandatit të deputetit të garantuar dhe parashikuar nga neni 73 i Kushtetutës”.