Kopje e njëri-tjetrit këta politikanët tanë!

arben ahmetaj5215656

Që ne shqiptarët e kemi humbur gjithë shpresën te këta politikanë që na kanë rënë në hise e di gjithë bota. Me të veten, ajo përpiqet të na ndihmojë. Shumë prej nesh që janë larguar, kanë gjetur strehë në vendet mikpritëse. Shumë edhe janë kthyer.     Ç’nuk po ndodh me ne shqiptarët. Sepse kemi një klasë idiote politike që bën gjithçka të na poshtërojë. Aq sa tashmë nuk dimë nëse në Shqipëri ndodhet një politikan i rregullt nga trutë e kokës, një politikan që ka pak turp kur gënjen ashiqare, një politikan që ka pak turp kur broçkullës fjalë të pakuptimta.

  Më i fundit nga të tillë politikanë është ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Ai, duke iu drejtuar studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit Ekonomik, tha se në vitin 2012, ekonomia shqiptare ishte në krizën më të thellë ekonomike. Ai deklaroi se varfëria në atë vit arriti kulmin më të thellë.   Mos harroni se në vitin 2012, Shqipëria ishte statistikisht në kulmin e saj të varfërisë. Viti 2012 ka qenë viti më i keq ekonomik i Shqipërisë. Çdo shqiptar që e dëgjon fjalën e këtij Ministri do t’i kujtohen fjalët e shpeshta të ish kryeministrit Sali Berisha që thuajse çdo ditë na gënjente se jemi vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Evropë, më saktë na e kalonte vetëm Gjermania.

Apo Jozefina Topali që na numëronte, “rritjen me pikatore të të gjitha vendeve evropiane, kur Shqipëria ka një rritje ekonomike mbi 3 për qind”.   Ne shqiptarët jemi mësuar me gënjeshtra. Aq sa po të mos na gënjejnë do të çuditeshim. Këtë e dinë politikanët tanë. Ndaj nuk ia përtojnë të na thonë broçkulla. Sepse asnjë shqiptar nuk mund ta besojë se në vitin 2012 ka qenë kulmi i varfërisë. Nëse është ashtu, po në vitin 2016 çfarë është? Sepse nga ai vit nuk kemi ndonjë rritje page as një qindarkë, nuk kemi fronte të reja pune, përkundrazi vetëm mbyllje vendesh pune si në sektorin shtetëror, ashtu edhe privat. Nga ai vit në disa produkte çmimet thuajse janë dyfishuar.

Aq sa sot, paga e një mësuesi mjafton vetëm sa për të mbajtur veten dhe një person tjetër me bukën thatë. Sepse po të mos ia paguash të gjitha taksat Arben Ahmetajt menjëherë të fut në burg. Një gjë të tillë shqiptarët e kanë parë me sytë e tyre. Kanë hyrë në burg për 35 mijë lekë energji të papaguar, apo i kanë dhënë fund jetës pasi s’kanë gjetur tjetër rrugëdalje.

  Atëherë, si mund të thuash se në vitin 2012 ishim në kulmin e varfërisë? Këtë zoti ministër as ti vetë nuk e beson, por duke qenë politikan di vetëm të mashtrosh. Sepse një gjë ju e dini mirë: Shqiptarët nuk dinë të kundërshtojnë. Sepse kështu na thoshte dikur Enver Hoxha. “Jemi më të lumturit në botë”, na thoshte shpesh ai. Kështu na thoshte edhe Sali Berisha më vonë. Kështu po na thoni edhe ju. Dhe asnjë nuk u kundërshton. Të paktën t’u pështyjë në surrat për gënjeshtrat e paturpshme që u dalin nga goja çdo ditë në kushtet e një varfërie të tejskajshme që e ka pushtuar gjithë Shqipërinë. Më e keqja është se ky mjerim që keni mbjellë ju fara e keqe e politikanëve është në rritje të vazhdueshme.   Këtë nuk ka nevojë të na e tregojë BB, apo FMN. Këtë ne e ndjejmë çdo sekondë në kurrizin tonë, këtë e ndjejmë ne gjepin tonë, e ndjejnë fëmijët tanë kur u shtrojmë sofrën për të ngrënë kur shpesh u shtrojmë vetëm bukën thatë, apo me pak gjizë. Dhe ky përshkrim nuk është për familjet e mjerimit që presin ndihmën ekonomike. E tillë sofër është ajo e mësuesit, e infermierit, e tregtarit të vogël etj.    Ju tashmë keni filluar ta ndjeni urrejtjen që po mbillni nga dita në ditë te shumica e shqiptarëve me gënjeshtrat e përditshme, që po sjellin vetëm nivel më të lartë varfërie. Po një gjë është e çuditshme. Si ndër vite i ngjani aq shumë njëri tjetrit, si kopjoni thuajse pa asnjë ndryshim njëri tjetrin. Ju tani po kopjoni edhe Enver Hoxhën, edhe pse nuk ia ndani të sharat.  

Tashmë ju e dini se këtë popull e keni neveritur aq shumë sa tashme çdo ditë e më tepër po dëgjojmë shprehjen: Ishim më mirë në kohën e Enverit. As për këtë nuk u vjen aspak turp. Sepse ju u ka humbur gjithë morali, jeni kthyer në monstra të çuditshme që vetëm racës njerëzore nuk i ngjasojnë.    Ndërsa shumica e shqiptarëve është zhytur në një mjerim të thellë e cila sheh si të mundet e të largohet, ju vazhdoni të pasuroheni pa u hyrë ferrë në këmbë.

Sepse e dini në Shqipëri është e gjithëpushtetshme pandëshkueshmëria. Është kjo arsyeja që edhe këto ditë, një reformë si ajo e drejtësisë është kthyer në një lolo, me të cilën tallen të gjithë, ndërsa mbushin xhepat me ndër me thënë gjyqtarë, prokurorë, monstra si ju etj. Vazhdoni ju monstra të pasuroheni e të tallni popullin e stërvarfëruar. Përderisa ai u lë të tallni me nderën me të.  

  Nga Ilirian DEMIRI

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.