"Dekriminalizimi", PD portal për qytetarët:Denonconi të inkriminuarit
Ndërsa një ditë më parë kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që kanë dije për emërime për perona me të shkuar kriminale në administratën publike. Në faqen zyrtare në internet të PD.al është publikuar formulari i këtyre denoncimeve. Në hapësirën ku mund të bëhen denoncimet PD u kërkon qytetarëve të denoncojnë dijeninë e fakteve të padeklaruar prej funksionarëve.
Në këtë linjë PD u kërkon atyre që denoncojnë, të japin informacion rreth emrit të funksionarit, institucionit ku ai punon si dhe funksionin që ushtron. Gjithashtu PD i fton ata që të plotësojnë të dhënat e personave të dyshuar për të shkuarën kriminale duke dhënë informacione për dijeninë e rasteve ku ka pasur dënime penale, arrestime apo ndalime e madje edhe për shtetet përkatëse.
Ndonëse zyrtarët pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit, në portalin e denoncimeve nga PD kërkohet që qytetarët të japin informacion nëse ka dijeni për persona që kanë pasur më shumë se sa një emër e që ushtrojnë funksione publike. 4 maji ishte afati i fundit kur zyrtarët duhet të plotësonin formularin e vetëdeklarimit.
Me mbylljen e këtij procesi institucionet përgjegjëse që vënë në lëvizje mekanizmat për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, siç është KQZ dhe DAP, prokuroria ka nisur procesin e verifikimit rast pas rasti.