Anulohen takimet e ambasadorëve me partite
SHBA: Takimi javën tjetër
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka sqaruar se Ambasadorët Lu dhe Vlahutin kanë rënë dakord me 3 grupet parlamentare që të takohen me secilin prej grupeve, në radhë sipas numrit të deputetëve-PS, PD dhe LSI. Përmes një deklarate për mediat, Ambasada amerikane thekson se po punohet që takimet e Lu e Vlahutin të zhvillohen javën e ardhshme. Zëdhënësi i ambasadës së SHBA, Rayan Roberts, tha se ambasadorët do të takojnë të tre grupet parlamentare. “Ne po punojmë që mbledhjet të zhvillohen javën e ardhshme.
Ambasadorët Lu e Vlahutin kanë rënë dakord që të takohen me secilin prej grupeve parlamentare në radhë sipas numrit të deputetëve. Lu e Vlahutin do të takojnë grupet parlamentare të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA. Ambasadorët Lu dhe Vlahutin
morën pjesë një ditë më parë në Komisionin e Reformës në Drejtësi ku iu drejtuan deputetëve se nëse dështon reforma në drejtësi ky do të jetë një turp i tyre për zgjedhësit, SHBA e Bashkimin Evropian.