Kriteret e reja për serviset e makinave

servis makinash 620x465

Pikat e riparimit te mjeteve, te njohura rendom si pika servisi, do t’i nenshtrohen kontrollit te forte te Ministrise se Transporteve dhe nje pjese e konsiderueshme e tyre, me shume gjase do te mbyllen. Ministri Edmond Haxhinasto ka firmosur dje udhëzimin me kriteret e reja, që do të prekin njëherazi qendrat e autoriparimit, shitblerjes së mjeteve, tregtimit të pjesëve të këmbimit dhe pikat e grumbullimit të mjeteve që dalin jashtë përdorimit. Sipas tij, ndryshimet bëhen në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe forcimit të sigurisë në transport. Ministri renditi gjithashtu, si pjesë të paketës, rregulloren e brendshme që parashikon mënyrën si bëhet servisi, si dhe garantimin e garancisë për shërbimin.

Udhëzimi

Për të marrë licencën për veprimtarinë që do të kryejnë, subjektet e riparimit të mjeteve me motor dhe rimorkio, apo subjektet e tjera të grumbullimit, tregtimit a shitblerjes së automjeteve, përpos procedurave të reja, duhet të kenë në pikat e tyre mjetet dhe pajisjet përkatëse. Po ashtu, ata duhet të punojnë në ambiente të posaçme. Sipas Ministrisë së Transporteve, nga inspektimet e kryera, kriteri i ambientit pritet që të nxjerrë jashtë tregut shumë prej pikave të serviseve, të gjendura kryesisht nëpër lagje ose rrugë sekondare. Udhëzimi citon se para marrjes së licencës, subjektet duhet të lënë si garanci në Qendrën Kombëtare të Licencimit një shumë prej 100 mijë lekësh.

Pajisjet në servis

Subjektet juridike, që të ushtrojnë veprimtarinë e riparimit dhe të mirëmbajtjes së pjesëve mekanike dhe të motorit, të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove, duhet të jenë të pajisur me një sërë veglash e instrumentesh, mungesa e të cilave mund t’i çojë ata në gjobëvënie apo pezullim të biznesit. Në pajisjet që renditen në udhëzim janë elektrokompresori, kompjuteri, kutia e ndihmës së shpejtë, kazani për mbeturinat, fuçia për grumbullimin e vajrave të përdorur dhe diagnostikuesi për kontrollin e parametrave të motorit. Gjithashtu, pikat e servisit do të detyrohen të kenë dy pajisje të mbrojtjes nga zjarri, dy llamba portative me transformator 220/24-36 volt, një seri veglash matëse dhe të kontrollit (për profesionin motorist, xhenerik etj.), si dhe gropën e riparimit, ku mund të qëndrojë sipas rastit një automjet ose pajisje ngritëse (hidraulike a elektrike), sipas standardeve teknike.

AmbientiNë nenin 1 të udhëzimit, i cili i referohet riparimit dhe mirëmbajtjes së pjesëve mekanike dhe të motorit, të mjeteve rrugore, citohen edhe kushtet e reja për ambientet. Kështu, ato nuk duhet të jenë në sipërfaqe më të vogla se 30 metra katror, duhet të jenë të mbyllura e me ndriçimin e duhur dhe të kenë instalimet e nevojshme elektrike dhe të ajrimit. Vendqëndrimi për mjetin që do të riparohet duhet të jetë i përshtatshëm, për autoveturë ose sipas rastit edhe për kamion e autobus. Serviset duhet të kenë edhe zyrë të posaçme për punë administrative, si dhe nyje hidrosanitare.

Dokumentet

Për t’u pajisur me licencë, subjektet e riparimit dhe mirëmbajtjes së mjeteve, duhet të plotësojnë edhe një sërë procedurash, çka nuk do t’u sjellë atyre probleme apo shkelje ligjore. Kërkesa nga drejtuesi ligjor, ose licenca, duhet të ketë në brendësi të të dhënave, emrin e subjektit, emrin e drejtuesit ligjor dhe të përgjegjësit teknik. Gjithashtu ajo duhet të përmbajë vetëdeklarimin, sipas formatit të hartuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit, për gjendjen e drejtuesit në lidhje me organet e prokurorisë dhe të gjykatës, njohjen dhe zbatimin e legjislacionin dhe të rregullave në fuqi, dërgimin e informacionit periodik, për veprimtarinë e shoqërisë dhe informacion në lidhje me pajisjet, instrumentet dhe ambientet e nevojshme që subjekti disponon. Të detyrueshme për licencën janë edhe kopja e dëshmisë së aftësisë profesionale të përgjegjësit teknik, kontrata midis drejtuesit ligjor dhe përgjegjësit teknik (me afat mbi 1 vit), dokumenti i pronësisë dhe dokumenti që vërteton ngurtësimin e vleftës së garancisë financiare.

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.