Nishani: Agjencia ka tre vjet që ka bllokuar pronat, ligji i ri është antieuropian

Bujar Nishanialbest

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e cilëson ligjin e ri që qeveria ka miratuar për pronat si antieuropian dhe pengues për integrimin e vendit.

Në një intervistë për “Tv Klan”, kreu i shtetit sqaron se çështja e pronës është një nga pesë kërkesat që BE i ka përcaktuar vendit për hapjen e negociatave dhe integrimin e vendit.

Duke u ndalur te deklaratat e ministrit Manjani për Gjykatën Kushtetuese, Nishani thekson se ky është tregues i kapjes politike të gjykatës dhe që minon realisht procesin e Reformës në Drejtësi.

Besoj një çështje e rëndësishme pikërisht për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut është edhe ajo e pronave. Keni diskutuar për këto?

Ndava një shqetësim shumë serioz, pasi jo vetëm që nga pikëpamja administrative gjatë këtyre tre viteve të fundit agjencia përkatëse ka bllokuar tërësisht procesin e njohjes dhe kthimit të pronës te pronari i ligjshëm duke refuzuar zbatimin e Kushtetutës, duke refuzuar zbatimin e ligjeve, çka përbën një abuzim të pastër dhe të rëndë me detyrën, por ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me faktin e ligjit të ri të miratuar nga qeveria shqiptare, i cili është një ligj ku për herë të parë, zyrtarisht dhe publikisht, përfaqësohet dhe shprehet një qëndrim antieuropian të një qeverie në Shqipëri. Pse e them “një qëndrim antieuropian”?

Për këdo ka qenë e pabesueshme që sot ne të prodhojmë e të kemi një ligj, i cili parashikon dhe kërkon që një trupë dhe një agjenci administrative qeveritare të rishikojë dhe të ndryshojë vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Besoj se çdo njeri normal që do të marrë në konsideratë këtë lloj realiteti, jo vetëm që do të tronditet, por do ta ketë të vështirë që të reagojë pa e konsideruar këtë si një qëndrim antieuropianist.

Praktikisht, duke vendosur që një agjenci administrative rishikon dhe ndryshon vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut do të thotë që Shqipëria, qeveria shqiptare praktikisht ka abroguar dhe nuk njeh më Konventën Europiane. Për më tepër që çështja e njohjes dhe kthimit të së drejtës së pronës te pronari është një nga pesë përparësitë kyçe të procesit të integrimit të Shqipërisë.

Është një nga pesë detyrat, një nga pesë detyrimet që Bashkimi Europian i ka vënë Shqipërisë për të plotësuar në procesin e integrimit evropian për hapjen e negociatave. Refuzimi që bëhet përmes ligjit aktual për të njohur dhe për të kthyer të drejtën e pronës te pronari, automatikisht ka refuzuar zbatimin e njërës prej këtyre pesë përparësive dhe pesë kërkesave kryesore që Bashkimi Europian i ka adresuar Shqipërisë si kushte për hapjen e negociatave dhe vazhdimin e procesit të integrimit të Shqipërisë, që do të thotë, aktualisht me këtë ligj është një shprehje e refuzimit të ecurisë së mëtejshme të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Kjo për mua është shumë e rëndë.

Ky është një shqetësim shumë i madh, sepse është një vullnet dhe një shprehje politike e një qeverie të caktuar. Natyrisht kjo bëhet përmes një akti ligjor, por, në fund të fundit, janë aktet ligjore ato të cilat përcjellin frymën politike, përcjellin qëndrimin politik. Është pa dyshim një çështje, e cila kërkon një reflektim shumë të thellë, shumë të rëndë- sishëm nga të gjithë aktorët e shoqërisë.

Presidenti i Republikës do të vazhdojë të mbrojë frymën europianiste të Shqipërisë. Presidenti i Republikës do të vazhdojë të këmbëngulë dhe t’u bëjë thirrje qytetarëve të Shqipërisë se vetëm rruga e integrimit europian është rruga dhe alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ka alternativë tjetër përveçse procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Kushdo që do të mendojë ta pengojë Shqipërinë, të ndryshojë rrugëtimin e saj europian, jam i bindur se do të dështojë në radhë të parë për shkak të vullnetit dhe orientimit perëndimor dhe europian të popullit në tërësi.

Ju e keni dërguar ligjin e pronave pikërisht në Gjykatën Kushtetuese dhe pritet që kjo gjykatë të marrë një vendim, por ndërkohë qeveria me anë të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, thotë që ligji është vënë në zbatim dhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta pezullojë këtë ligj. Ju e keni konsideruar këtë si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Nuk ka asnjë diskutim dhe argument që e hedh poshtë faktin se ky është një presion i hapur jo vetëm politik, por në këtë rast është një presion publik, përderisa kuraja e presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila deri më tash ishte konsideruar si një gjykatë që kishte ruajtur një standard pavarësie dhe integriteti, dhe që aktualisht po refuzon të marrë një vendim për pezullimin e këtij ligji që përcjell përveç të tjerash, edhe frymën antieuropiane të atyre që e kanë prodhuar dhe paraqitur këtë ligj, tregon që kapja politike e gjykatës po kthehet në një shqetësim serioz dhe mbërritja deri te kapja politike e Gjykatës Kushtetuese komprometon shumë rëndë procesin e Reformës në Drejtësi.

E minon realisht procesin e Reformës në Drejtësi. E bën tërësisht të pabesueshëm çdo angazhim dhe çdo deklamim për të reformuar sistemin e drejtësisë.

Maxhoranca e opozita janë ndarë sërish për Reformën në Drejtësi. Ju keni kërkuar nga klasa politike që bashkëpunimi të mbizotërojë mbi ndarjet politike le të themi?

Politikisht dhe publikisht është shprehur nga të gjithë aktorët politikë në Shqipëri domosdoshmëria, nevoja dhe gatishmëria për t’u përfshirë në procesin e reformës së sistemit të drejtësisë, i cili ka nevojë të reformohet, por reforma nis te depolitizimi. Reforma nis te largimi i ndikimit tërë- sisht politik të grupit politik, të klasës politike mbi sistemin e drejtësisë. Rekomandimet që erdhën nga Komisioni i Venecias ishin pa dyshim një pikë shumë e mirë orientuese, e cila duhet të vazhdojë të mbetet si pikë orientimi për Parlamentin shqiptar, për partitë politike në Parlamentin shqiptar për të qasur parimet e eficiencës, të pavarësisë dhe të përgjegjë- sisë, dhe të përgjegjshmërisë të sistemit të drejtësisë në raport me qytetarin dhe në raport me ligjin.

Por kur shohim që kapja politike shkon deri te Gjykata Kushtetuese, atëherë kjo e minon besimin që mund të ketë një proces kaq i rëndësishëm dhe kaq jetik. E komprometon rëndë jo vetëm qëllimin, por edhe vetë përfshirjen e aktorëve të veçantë e të caktuar në atë që ne kërkojmë si reformë në sistemin e drejtësisë.

 

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.