Vaksina e Rusisë/ Reagon studiuesi: “Prodhues janë ata që financojnë fushatën”
Kritikat për vaksinën ruse për Coronan janë të shumta. Edhe në Rusi, studiuesit dyshojnë në efektivitetin e saj.
Por zhvilluesit dhe autoritetet e mbrojnë “Sputnik V” dhe shohin një fushatë politike pas skepticizmit.
Një autor rubrikash për transmetuesin shtetëror rus Sputniknews e përshkruan valën e kritikës si një raund tjetër të luftës së informacionit, në të cilën e kanë futur Rusinë.
Vaksina e sapaprovuar nga Rusia shikohet me shumë dyshim. Reagimet e studiuesve nga e gjithë bota deri tani nuk i kursejnë asnjë kritikë. Kurse në Rusi, njerëzit kanë tendencë ta perceptojnë kritikën sikur vendet e tjera po kërkojnë qime në qull.
“Kolegët e huaj me sa duket e shohin veten në njëfarë gare dhe i ndiejnë avantazhet ndaj konkurrencës të vaksinës ruse. Ata shprehin kritika, që nga pikëpamja jonë janë absolutisht të pabazuara”, tha ministri rus i Shëndetësisë Mikhail Muraschko në përgjigje të dyshimeve nga komuniteti global i shkencëtarëve.
Në faqen zyrtare për pandeminë, profesori Sergej Tsarenko i kundërshton kritikat e kolegëve të huaj. Prodhues të vaksinave të tjera janë ata që e financojnë fushatën në medie, janë po ata pas të ashtuquajturve ekspertë, shkruan ai. Mjekët profesionistë, sipas tij, turpërohen kur vënë re këtë publicitet të fshehtë.
LEXO TE NGJASHME