Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënon dhunën ndaj Berishës
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka dënuar dhunën ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili u sulmua me grusht një ditë më parë gjatë protestës së opzitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
KShH kërkon që organet kompetente të hetojnë ngjarjen.
Njoftimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dënon aktin e dhunës, që në tubimin e datës 6 Dhjetor 2022, u përdor ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Sali Berisha, ish President i Republikës së Shqipërisë dhe ish Kryeministër i vendit. Personi që kreu këtë vepër kriminale u identifikua, ndërsa Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë filloi menjëherë çështjen penale. KShH i sugjeron organit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që të zhvillojë hetime të shpejta, objektive dhe të gjithanshme, përfshirë edhe deklaratat lidhur me këtë ngjarje të z. Berisha, para gazetarëve menjëherë pas përfundimit të tubimit. KShH e sheh të nevojshme të theksojë se tubimet paqësore dhe pa armë janë të garantuara nga neni 47 i Kushtetutës sonë dhe neni 11 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ).
/abcnews.al/
LEXO TE NGJASHME