Burg nëse mban kondicionerin mbi 19 gradë? Qeveria zvicerane nxjerr "bllof" ministren Balluku
Fushata e ndërgjegjësimit për kursimin e energjisë në Shqipëri, në kushtet e krizës globale ka shënuar një tjetër precedent kur qeveria propagandon përmes dizinformimit.
Faktoje verifikoi si të pavërtetë një deklaratë të ministres së Energjisë Balluku se Zvicra dënon me burg qytetarët që ngrohen me më shumë se 19 gradë. Përgjigjja e qeverisë zvicerane për Faktoje tregon se ky shtet nuk ka mungesa të energjisë elektrike dhe si pasojë as masa ndëshkuese, por ka ftuar qytetarët që vullnetarisht të reduktojnë përdorimin e gazit.
“A e dini se Zvicra dënon me burg ata që e mbajnë kondicionerin mbi 19 gradë?”-kështu iu drejtua ministrja e Energjetikës Belinda Balluku nxënësve të shkollës 9 vjeçare “Lasgush Poradeci” në Tiranë, teksa u komunikonte pasojat nga kriza botërore e energjisë elektrike.
E pranishme në këtë takim të datës 14 shtator ishte edhe ministrja Arsimit Evis Kushi. Kjo deklaratë u artikulua më herët edhe nga kryeministri Rama gjatë prezantimit të paketës së re antikrizë, në konferencën e datës 8 shtator.
“Sot lexova që Zvicra ka vendosur penalitetin e tre viteve burg për ata që ngrohin më shumë se 19 gradë shtëpinë e tyre, ashtu sikundër kemi parë që Gjermania ka paraqitur planin për fikjen e dritave në të gjitha rrugët, në të gjitha vitrinat, në të gjitha bizneset pas orës 10 të darkës etj”-u shpreh zoti Rama.
Në 15 shtator iu drejtuam me një kërkesë për informacion në rrugë elektronike zyrës së medias ku kërkuam të dijmë nëse është e vërtetë se ka ndonjë vendim për dënim me burg të qytetarëve në lidhje me energjinë.
Qeveria Zvicerane i ktheu përgjigje Faktojes vetëm pak orë pas dërgimit të emailit, përmes zëdhënësit të Departamentit Federal të Ekonomisë dhe Kërkimit, i cili mohon vendimmarrjen për dënimin me burg për rastin në fjalë.
Në këtë përgjigje, zëdhënësi shkruan se aktualisht në Zvicra nuk ka mungesë të energjisë elektrike dhe për këtë arsye nuk janë vendosur kufizime, aq më pak masa ndëshkuese. Ai pranon se një artikull i gazetës Blick është keqkuptuar dhe interpretuar nga persona të caktuar.
“Faleminderit për mesazhin tuaj dhe për përpjekjet tuaja për verifikim.
Një artikull në gazetën Blick është keqkuptuar ose riprodhuar gabimisht nga anëtarë të caktuar të publikut. Aktualisht në Zvicër nuk ka mungesë të energjisë elektrike apo gazit natyror.
Prandaj nuk ka në fuqi kufizime apo ndalime për përdorimin e energjisë që mund të shkelen. Aktualisht po përgatiten koncepte nëse kufizimet apo masat mund të bëhen të nevojshme në rast të mungesës së ashpër të gazit natyror ose të energjisë elektrike.
Procedurat e konsultimit për një projekt-urdhëresë në lidhje me një mungesë të madhe të gazit janë në vazhdim me grupet e interesit Énergie : mise en consultation des mesures prévues en cas de pénurie de gaz/ Energie: Massnahmen für eine Gasmangellage gehen in Konsultation .
Natyrisht, duhet të mbahet parasysh se si duhet të zbatohen dhe monitorohen kufizimet ose ndalimet e mundshme. Akti Kombëtar i Furnizimit Ekonomik (NESA), i cili do të shërbente si bazë për çdo kufizim apo ndalim, nuk parashikon gjoba administrative në formën e tij aktuale.
Për rrjedhojë, ndjekja e shkeljeve sipas NESA do të ishte më e ndërlikuar; megjithatë, çdo gjobë e mundshme nuk do të ishte më e lartë se një gjobë normale administrative.
Në çdo rast, një pikë e rëndësishme është se kontrollet e rrepta nuk janë as të realizueshme dhe as të dëshirueshme. Në Zvicër, ne u besojmë njerëzve që të respektojnë ligjin.”-thuhet në përgjigjen zyrtare të Zvicrës. /faktoje
LEXO TE NGJASHME