Banka Botërore shkund qeverinë për PPP-të: Nuk ka transparencë, kontroll, po krijojnë detyrime

banka boterore1122 1 600x3601646723114

Qeveria ka nevoja të mëdha për investime në infrastrukturë sidomos në furnizimin me ujë, transport dhe energji, por përpjekjet e qeverisë për të zgjidhur këto problematike nëpërmjet Partneriteteve Publike-Private duket se, do ta ndërlikojë më tej situatën në lëmin e infrastrukturës se sa do ta lehtësojë.

Banka Botërore dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) në një studim të fundit mbi potencialet e pashfrytëzuara të ekonomisë shqiptare vunë në dukje se, PPP shpesh nuk kanë qenë zgjedhja e duhur për të zgjidhur problemet infrastrukturore të Shqipërisë.

Niveli i lartë i borxhit publik e ka kufizuar ndjeshëm hapësirën buxhetore për shpenzimet e infrastrukturës. “Ndërsa qeveria është përpjekur të mobilizojë kapitalin privat përmes PPP-ve, përdorimi i tepruar i PPP-ve, në një kontekst transparence të kufizuar dhe mbikëqyrje të dobët ka rezultuar në akumulimin e detyrimeve të rëndësishme kontingjente” evidentoi Banka.

Shumica PPP-të janë të angazhuara në projekte të mëdha të energjisë dhe transportit, për të cilat qeveria ka dhënë garanci çmimi ose vëllimi.

Sipas Bankës Botërore shumica e kontratave ekzistuese PPP janë dhënë përmes propozimeve të pakërkuara dhe mungesës së garës, duke ndaluar pjesëmarrjen e investitorëve të huaj.

Gjatë ristrukturimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në vitin 2018, qeveria krijoi një Njësi të Riskut Fiskal për të menaxhuar rreziqet fiskale që rrjedhin nga PPP-të e zbatuara nga ministritë e linjës, por kësaj njësie ende i mungon kapaciteti për të kryer funksionet  kryesore, vuri në dukje Banka. U miratuan udhëzime të reja në mars 2018 që synojnë të kufizojnë pranimin e ofertave të pakërkuara të PPP-ve, dhe projektbuxheti 2019 përfshinte një listë të PPP-ve të miratuara.

Pavarësisht këtyre përmirësimeve, transparenca në lidhje me përdorimin e PPP-ve mbetet e kufizuar.

Periudha e pas-krizës globale 2008 ngushtoi hapësirën fiskale. Qeveria u kthye gjithnjë e më shumë partneriteteve publike-private (PPP) për plotësuar nevojat e investimeve publike. Por kjo qasje sipas BB, ka rezultuar në krijimin e detyrimeve të mëdha kontingjente jashtë buxhetit. Që nga viti 2019, numri total i kontratave koncesionare dhe PPP arriti në 224, dhe vlera totale e tyre arriti në 31 për qind të PBB-së. Nga këto, 186 kontrata, me një vlerë në masën 24 për qind të PBB-së, iu dhanë projekteve të sektorit të energjisë. Sektori tjetër më i madh ishte transporti, me vetëm 17 kontrata që përfaqësojnë 4 për qind të PBB-së.

Banka vuri në dukje se, ka një integrim të dobët të PPP në prioritetet e përcaktuara në strategjitë kombëtare. 75 për qind e kontratave PPP të nënshkruara në 2012- 2018 janë dhënë me propozime të pakërkuara.

Analiza thekson se, PPP-të ekzistuese nuk monitorohen sistematikisht dhe informacioni mbi performancën e tyre është shumë i rrallë.

“Gjatë një ristrukturimi 2018, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë krijoi një Njësi të Riskut Fiskal për të menaxhuar rreziqet fiskale të paraqitura nga PPP-të e zbatuara nga ministritë e linjës. Njësisë ende i mungon kapaciteti i mjaftueshëm për të monitoruar rreziqet e PPP-ve, por ndërkohë numri i kontratave që po jepen nga drejtoria tjetër e Koncesioneve është rritur ndjeshëm që nga viti 2018” thekson Banka./Monitor

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.