Mediat e huaja: Breshëri plumbash ndaj Top Channel, motivi ende i paqartë!
Associated Press thekson se disa raunde plumbash u zbrapsën në hyrjen e televizionit duke vrarë 60-vjeçarin Pal Kola, roje sigurie i objektit.
Policia zbuloi një makinë të djegur e dy kallashnikovë rreth 50 km larg vendngjarjes, nënvizohet në shkrim. Artikulli thekson më tej sesi autoritete lokale, shoqata të gazetarëve e ambasada të huaja e denoncuan njëzëri sulmin dhe i bënë thirrje agjencive të zbatimit të ligjit të gjejnë autorët e t’i nxjerrin para drejtësisë.
Motivi i sulmit nuk është ende i qartë, vazhdon shkrimi, sipas të cilit hetimi deri tani nuk ka identifikuar ndonjë pistë të qartë. “Vritet roja i sigurisë gjatë një sulmi më kallashnikov”, shkruan agjencia franceze e lajmeve, AFP. Një breshëri plumbash u lëshua drejt selisë së televizionit të rëndësishëm kombëtar nga një SUV në lëvizje, thuhet më tej. Shkrimi kujton sesi Shqipëria ishte dikur e famshme për trafikun e paligjshëm të armëve dhe sesi mbi një milion kallashnikov u vodhën nga depot ushtarake gjatë trazirave të viteve ’90.
Megjithatë, vazhdon AFP, të shtënat masive dhe sulmet e dhunshme ndaj gazetarëve në këtë vend, janë tejet të rralla. Lajmin e ka përcjellë deri edhe gazeta Peninsula Qatar e publikuar në Doha, e cila përcjell thirrjet e kryeministrit Edi Rama për solidaritet nga të gjithë në këtë moment kaq shqetësues. Sulmi u pasqyrua menjëherë edhe nga media të tjera të rëndësishme si VOA, Dojce Vele e Radio Europa e Lirë.
LEXO TE NGJASHME