“COVID-19 nuk është i lehtë për t’u tejkaluar”, flet mjekja në Prishtinë që fitoi betejën me koronavirusin
Valbona është mjeke-psikiatër në Prishtinë dhe punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, me virusin e ri është infektuar derisa ishte në Angli, ku kishte qenë në një udhëtim zyrtar më 9 mars. Në spital është shtrirë më 16.03.2020 dhe është liruar për në shtëpi më datë 15.04.2020.
‘’Sapo kam arritur në aeroportin e Prishtinës, kam kërkuar vetë të testohem. Arsyeja ka qenë se përderisa në shumë vende koronavirusi ishte temë kryesore, në Londër, ku unë kam qëndruar disa ditë, jeta zhvillohej normalisht. Ndonëse nuk e kam pasur asnjë simptomë përpos dhimbjes në nyje, e që kam menduar se e kam pasur nga ecja që kam bërë në Londër, testi më doli pozitiv”, tha ajo.
Doktoresha Tafilaj thotë se ka qenë e befasuar nga lajmi që i është kumtuar për rezultatin e testit.
“Ajo që më ka shkuar në mendje menjëherë, ka qenë familja ime – si do ta përjetojnë gjithë këtë situatë. Dhe ashtu doli, kanë qenë shumë të shqetësuar. Më pas u shtriva në klinikë, dhe për tre javë rresht nuk kam dalur as në ballkonin e dhomës së spitalit. Takimi im i vetëm ka qenë me mjekë dhe infermierë’’, tha ajo.
Dhe përderisa fillimin e sëmundjes e përshkruan me simptoma më të lehta, Dr. Tafilaj thotë se me kalimin e ditëve, virusin filloi ta përjetojë si virus ankthi.
‘’Në fillim të sëmundjes ndihesha mirë. Pas disa ditësh filloi një dhimbje e madhe e kokës, me të vjella, kollë e diare. Java e dytë ma çrregulloi ritmin e zemrës, si dhe tensionin e gjakut. COVID-19 filloi të më shkaktojë edhe ankth dhe frikë. Secila simptomë që përmendej më dukej se ishte në trupin tim. Pas testit të dytë dola pozitiv, testi i tretë, gjithashtu pozitiv, deri te testi i katërt, unë vazhdimisht rezultoja rast pozitiv”.
“Kjo më shqetësonte shumë, dhe kisha përshtypjen që gjithmonë do të jetoja me këtë virus në trup, dhe koha e qëndrimit në spital më dukej tejet e gjatë’’, tha ajo.
Dhomën ku ka ndejtur 30 ditë e përshkruan si shumë të vogël, me një karrige të kuqe përballë shtratit, një tavolinë të vogël dhe banjo vetëm tre hapa larg shtratit.
Mjekët dhe infermierët ishin i vetmi kontakt për të.
‘’Kam pasur momente të vështira, të qëndrosh brenda një dhome të vogël spitali dhe të jetosh me simptomën e vdekjes, sepse është virus i panjohur dhe nuk e din se çka po ndodh. Çdo ditë pret me u fut në oksigjeno-terapi, apo ventilatorë. Pas testit të katërt, për dy ditë rresht kam pasur ankth. E kalova rrezikun, por ka qenë e vështirë”, thotë Tafilaj.
Për rreth 23 ditë rresht, ajo ka komunikuar vetëm me personelin mjekësor, por javën e fundit, në distancë dhe me maskë e doreza, është takuar me pacientë të tjerë.
Për të, ky hap komunikimi me të tjerët, ia ka kthyer edhe një ankth tjetër që e ndiqte, që kur testi i parë i ka dalë testi pozitiv – frika mos e infekton dikë me virusin e ri.
‘’Virulenca tek unë ka qenë shumë e fortë, dhe kam pasur mundësi të infektoj shumë njerëz, sepse për 30 ditë rresht, testi më dilte pozitiv. Fakti që nuk i kam infektuar unë të tjerët, po më bën të ndihem shumë mirë’’, tha ajo.
Mbi të gjitha, thotë doktoresha, është puna e mjekëve dhe infermierëve, të cilët duke qenë në linjën e parë të frontit me koronavirusin e ri, motivojnë pacientët të luftojnë virusin.
Në emrin e tyre dhe të familjes, ajo bën thirrje te të gjithë, që t’u përmbahen rekomandimeve dhe të qëndrojnë në shtëpi, sepse “nuk është virus i lehtë për t’u tejkaluar”./REL
LEXO TE NGJASHME