Koncert tek Liceu Artistik, vë “në garë” profesorët dhe nxënësit
Konceptuar si një buqetë lulesh për festat e fundvitit, një koncert me nxënësit dhe profesorët e Liceut Artistik është mbajtur në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
“Patëm dëshirën që të bënim diçka ndryshe. Në fakt kjo dëshirë u shpreh në mënyrë spontane nga një kolegia jonë e cila ka shumë vite në Liceun Artistik”, tha drejtoresha artistike e Liceut, Klodi Zheji.
“Ishte një projekt i zonjës Valbona Simixhiu, një projekt i kahershëm për bashkimin e disa mësuesve dhe organizimin e një mbrëmje gala. E quaj gala sepse janë përmbledhur disa numra shumë të bukur të kompozitorëve më me emër të muzikës klasike”, u shpreh Denis Bizhga, violinist dhe profesor ne lice.
Jo vetëm nxënësit e liceut, por edhe vetë drejtoresha e këtij institucioni ishte e entuziazmuar për realizimin e këtij projekti.
“Nuk është hera e parë që ata organizojnë diçka të tillë. Ndoshta vetë në mënyrë individuale ata ishin organizuar. Nxnësit e Liceut kanë qenë pjesë të koncerteve të ndryshme, por që të bëheshin bashkë u desh patjetër një frymë, një lloj indicie. Pra u treguan të gatshëm dhe e morën me shumë entuziazëm”, tha drejtoresha e Liceut Artistik, Valbona Gavelli.
Ideja e perfomancave të përbashkëta e nxënëseve me profesorët e liceut është vlerësuar edhe nga muzikantë të njohur.
“Liceu Artistik është fabrika e të gjithë prodhimit të artit muzikor, arteve figurative e më gjerë. Të gjithë artistët që kemi në zë të gjeneratës së sotme janë produkte që kanë kaluar nga Liceu Artistik dhe më vonë në Akademinë e Arteve”, u shpreh violinisti Besim Petrela.
Kufijtë mes profesorëve dhe nxënësve të liceut në këtë koncert u shkrinë në një emocion të përbashkët. Interpretimet në piano, në violinë, tingujt e flautit dhe ariet janë përcjellë me duartrokitje nga publiku.
LEXO TE NGJASHME