Dita e 4-të e protestës/ Qytetarët para Kryeministrisë. Qeveria ul çmimin e naftës nga 223 lekë në 217 lekë/l

 

Qytetarët shqiptarë, të shumtë në numër, u mblodhën edhe këtë të shtunë para Kryeministrisë në ditën e katërt të protestës me disa kërkesa të qarta për kreun e Qeverisë, duke i kërkuar këtij të fundit të marrë masat e nevojshme për të ulur çmimin e karburantit dhe produkteve bazë të shportës.

Bordi Kombëtar i Menaxhimit të Hidrokarburëve në përfundim të mbledhjes, thanë burime për Top Channel, vendosi se çmimi i sotëm në treg i naftës nga 223 lekë të shkojë në 217 lekë për liter.

Në protestën e sotme, protestuesit kërkuan nga Qeveria marrjen e masave të menjëhershme për stabilizimin e çmimeve dhe shmangien e abuzimeve në treg. Një kërkesë tjetër e tyre ishte lirimi i disa protestuesve të ndaluar gjatë tre ditëve të mëparshme.

Ndërkohë protesta ka patur edhe në rrethe, ku në Lezhë protestuesit bllokuan për disa minuta autostradën Lezhë-Laç, ndërsa në Klos të rrethit të Matit u bllokua rruga nacionale. Po ashtu, qytetarët protestuan edhe në Pogradec e Berat.

Ndonëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se sot ka nisur puna e bordit të kontrollit të furnizuesve të naftës dhe Qeveria është mbledhur për te miratuar paktën anti-krizë, qytetarët janë mbledhur sërish.

Protestës së qytetarëve kundër rritjes së çmimeve, që janë mbledhur para kryeministrisë, i janë bashkuar edhe personat me aftësi të kufizuara.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur protestuesve që janë mbledhur para kryeministrisë, duke ngritur zërin për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës dhe çmimit të naftës. Në Facebook, teksa i përgjigjet komentuesve, Rama thotë se nuk ka pritur që ‘një pakicë e çartur të ulërijë e shajë’ që ai të vepronte. Kryeministri thekson se sot do të jenë gati skenarët për përballimin e pasojave të luftës në Ukrainë.

Në protestën kundër rritjes së çmimeve, ka qenë e pranishme edhe nënë Liza. Ajo thotë se pasi kjo qeveri e ka lënë pa shtëpi, kërkon që t’i lënë pa bukë.

Unë jam Nënë Liza, më ka derdhur djersën e fëmijëve, na shembën shtëpitë, tani duan të na lënë pa bukë, shtëpitë e veta i kanë blinduar, ndërsa ne na i kanë shkatërruar“, tha nënë Liza.

 

Aktori i njohur Florian Binaj u ka bërë thirrje fgurave publike që të bashkohen në protestën kundër rritjes së çmimeve. Teksa shprehu falenderim për të gjithë pjesëmarrësit në protestë, ai tha se ata përfaqësojnë jo vetëm familjet e tyre por të gjithë ata që nuk mundën të ishin sot aty. Protestës i janë bashkuar edhe aktori Irgen Çela dhe gazetari Marin Mema.

Kujtojmë se revolta e qytetarëve erdhi pas mëngjesit të 7 marsit, atëherë kur çmimet e produkteve të ndryshme, në supermarkete, apo shërbime të tjera, si transporti rrugor, pësuan një rritje drastike.

Çmimi i naftës, brenda 24 orëve, u kushtoi atyre 30-35 lekë më shumë se një ditë më parë.

Nga ana tjetër, aktivistët, nëpërmjet kanaleve online, iniciuan grumbullimet e para.

Kështu pasditja e së mërkurës i gjeti qytetarët poshtë derës së “drejtuesit të qeverisë”, si për t’i kërkuar “llogari” për çdo qindarkë të shpenzuar më tepër.

Manifestimet u shtrinë në akset kryesore të Tiranës, duke i “paralizuar” ato. Të nesërmen, strukturat policore, në bazë të provave të grumbulluara, kryen arrestime për vepra të ndryshme penale.

Një gjë tjetër ndodhi të enjten pasdite, e cila ofroi dy këndvështrime të ngjarjes.

Atë të qytetarëve që shprehnin kundërshtinë e tyre poshtë zyrës së kryeministrit dhe, atë të Ramës, i cili  në një dalje të paralajmëruar,  po zhvillonte një bashkëbisedim online me ndjekësit e tij në Facebook.

Shpesh, gjatë bisedës, qartazi dëgjoheshin edhe brohoritjet e protestuesve, të cilët interferonin në live-video. Kryeministri bëri me dije se kabineti qeveritar brenda 48 orëve do të shpallte një plan konkret.

Ai vuri theksin, veçanërisht, tek bashkimi, e vërteta dhe faktet e problemit.

Me një ton të butë, duke i rikthyer qytetarëve në ditën e tërmetit dhe pandemisë, theksoi se “ashtu siç i dolëm në mbrojtje familjeve të këtij vendi, ashtu do t’i dalim sërish në mbrojtje familjeve të këtij vendi në këtë situatë krize”.

Pa u mbushur as 24 orë, qeveria në një tryezë mblodhi të gjithë furnizuesit e naftës, duke u bërë me dije se do të ngrihet një bord mbikëqyrës pikërisht për ta.

Kjo me qëllimin e vetëm, të mos ketë më çmime abuzive që u rëndojnë xhepave të qytetarëve.

Rama këtë herë, me tone më të ashpra, premtoi se furnizuesit e naftës do t’i hiqej licenca nëse ky i fundit do të shkelë marzhin e përcaktuar të fitimit.

Por edhe kjo nuk e ndali zemëratën e qytetarëve.

Në po të njëjtën orë, ata u grumbulluan përballë Kryeministrisë, ndërsa bënë thirrje se të shtunën e 12 marsit, do të vazhdojnë me kauzën e tyre.

Ndryshe nga ato të mëparshmet, ku qytetarët manifestuan veçmas, në qytete të ndryshme, sot, “Shqipëria” do të mblidhet në sheshin e kryeqytetit.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.